Një aksion i gjerë i zhvilluar në Pejë ka vënë në shënjestër biznesin e njohur të telefonisë “DAKI MOBILE”, ku autoritetet dyshojnë për kontrabandim mallrash dhe shmangie të obligimeve tatimore.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se më 9 qershor 2026, zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Prokurorininë Themelore në Pejë, të asistuar nga inspektorët e ATK-së dhe Njësia Anti-Kontrabandë e Doganës së Kosovës, kanë kryer kontroll në subjektin afarist “DAKI MOBILE”, përkatësisht në biznesin “Dardan S. Krasniqi B.I.”, si dhe në veturën e pronarit.
Gjatë kontrollit në hapësirat e biznesit janë gjetur 160 mbushës APPLE 20W, të cilët dyshohet se nuk ishin të deklaruar dhe mund të jenë futur në vend në kundërshtim me procedurat doganore.
Ndërkohë, në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar:
13 telefona iPhone të modeleve 17, 17 Pro Max, 16, 16 Pro Max dhe 15;
13 telefona Samsung, përfshirë modelet Galaxy A17, S25, S26, A36 5G dhe A26 5G;
një iPad 11 A16;
si dhe dy Apple Watch.
Sipas vlerësimeve preliminare, vlera e mallrave të sekuestruara arrin në rreth 30 mijë euro, ndërsa Dogana e Kosovës pritet të bëjë përllogaritjen përfundimtare të vlerës së mallrave dhe obligimeve doganore që dyshohet se janë shmangur.
Pronari i biznesit, Dardan Krasniqi, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


