Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Aksion për fajde në Prizren: Dy të arrestuar, dyshohet se...

Ekskluzive | Aksion për fajde në Prizren: Dy të arrestuar, dyshohet se e mbajtën viktimën nën presion dhe i shkaktuan dëme të mëdha

Një operacion policor kundër fajdesë është zhvilluar dje në Prizren, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që dyshohet se i kanë shkaktuar viktimës dëme të konsiderueshme materiale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar V.H dhe D.E.

Hasani dyshohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Elshani dyshohet për “Dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të dyshuarit dyshohet se për një periudhë të vazhdueshme kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të realizimit të interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së vet.

Si rezultat i këtyre veprimeve, viktimës dyshohet se i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në dy lokacione në fshatin Randobravë të Prizrenit, ku janë sekuestruar materiale që dyshohet se mund të lidhen me rastin.

Pas intervistimit dhe veprimeve të tjera procedurale, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet për të zbardhur mënyrën e veprimit, shumën e dëmit dhe rolin e secilit të dyshuar po vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT