Janë pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, i cili ka njoftuar se pezullimi lidhet me një rast që përfshin periudhën 2017–2019 dhe kontratën për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dyshohet se gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020 kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare lidhur me kontratën “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Prokuroria pretendon se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa në fund janë realizuar pagesa në vlerë totale prej 5 milionë e 377 mijë e 58 euro.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe rregullat për shpenzimin e parasë publike.
Po ashtu, dyshohet se janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni për pranimin e punëve.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti i nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara. Për çfardo informacioni, organet e drejtësisë do ta kenë bashkëpunimin tonë të plotë. Ne do të punojmë fort që ta forcojmë kontrollin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në çdo nivel të Ministrisë dhe çdo dyshim serioz për keqpërdorim do të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë institucionale”, tha Basha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


