Lidhur me atë që ofron Shqipëria këtë sezon veror, eksperti i turizmit nga Kosova, Ruzhdi Kurteshaj, tha se kualiteti i hoteleve në vijën e parë të detit është i lartë dhe nuk gjendet me këto çmime në asnjë vend tjetër të rajonit.
Ai në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, tha se Shqipëria tashmë po zhvillohet me ndërtimin e hoteleve luksoze të standardit katër dhe pesë yje, duke përfshirë edhe shërbimin all inclusive.
E kjo siç thotë ai, përfaqëson kalimin në një standard tjetër shërbimi, gjë që e bën shumë atraktiv për diasporën.
“Diaspora është një infuzion shpirtëror dhe financiar, dhe dua ta falënderoj diasporën që vit pas viti po avancon në rezervimet paraprake për pushimet verore në Shqipëri. Siç janë bërë më herët rezervimet për Turqinë dhe vende të tjera, tani po bëhen gjithnjë e më shumë për Shqipërinë dhe jemi të kënaqur me shifrat paraprake për vitin 2026”, tha mes tjerash ai.
Ndërkohë, eksperti i turizmit në Shqipëri, Isa Krasniqi, tha se sezoni turistik nuk karakterizohet vetëm nga rritja e numrit të turistëve, por edhe nga diversifikimi i tregjeve, pasi në Shqipëri po vijnë tregje të reja krahas atyre tradicionale nga rajoni.
“Turistët nga Kosova nuk e zgjedhin Shqipërinë vetëm për detin, por edhe sepse është vendi i tyre, pasi lidhet me gjuhën, kulturën, historinë dhe ndjenjën e përkatësisë. Ata nuk vijnë si turistë klasikë, por ndihen si në shtëpinë e tyre, gjë që krijon një lidhje më të fortë se marketingu turistik”, tha Krasniqi./Klankosova.tv


