Thursday, July 2, 2026
spot_img
HomeLajmeÇifti që trafikonte të miturat në Ferizaj, dënohet me 12 vjet burg...

Çifti që trafikonte të miturat në Ferizaj, dënohet me 12 vjet burg – Kjo ishte skema! (VIDEO)

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtorë E.S dhe V.H për veprat penale të trafikimit me njerëz dhe mundësimit të prostitucionit, ndërsa e njëjta është liruar nga akuza për frikësim gjatë procedurës penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Shabi Idrizi, është vërtetuar se nga muaji gusht 2024 deri më 15 mars 2025, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë shfrytëzuar seksualisht disa vajza të mitura në një vilë në magjistralen Ferizaj–Prishtinë.

Sipas gjykatës, V.H fillimisht krijonte miqësi me vajzat dhe i ftonte ato në banesën e saj, ndërsa më pas, në koordinim me E.S përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës, ua mundësonin klientëve shërbime seksuale në këmbim të pagesave nga 50 deri në 400 euro, të cilat më pas i përvetësonin dhe i ndanin mes vete.

Të dy u shpallën fajtorë edhe për mundësim të prostitucionit ndaj një viktime madhore.

Për veprën penale të trafikimit me njerëz, E.S u dënua me gjashtë vjet burgim dhe 4 mijë euro gjobë, ndërsa V.H me katër vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Për mundësim të prostitucionit, E.S u dënua edhe me katër vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë, ndërsa V.H me dy vjet burgim dhe 500 euro gjobë.

Me aplikimin e dënimit unik, Gjykata e dënoi E.S me tetë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa V.H me pesë vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Gjykata e liroi 22 vjecaren nga akuza për frikësim gjatë procedurës penale, pasi vlerësoi se nuk ishte provuar pretendimi se ajo kishte kërcënuar familjarët e viktimave përmes rrjetit social Snapchat.

Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtari Shabi Idrizi tha se si rrethana rënduese janë vlerësuar mosha e viktimave, shfrytëzimi i gjendjes së tyre ekonomike dhe mënyra e organizuar e kryerjes së veprave penale, ndërsa si rrethanë lehtësuese për të pandehuën është marrë parasysh vetëm viktimizimi i saj në të kaluarën.

Ky rast ishte përcjellë nga Kiks Kosova që nga arrestimi i të dyshuarve në mars të vitit 2025. Gjatë një hulumtimi ekskluziv, emisioni kishte sjellë rrëfimet e V.H motrës së saj, nënës së tyre, familjarëve të viktimave të pretenduara, si dhe të afërmve të E.S

Që nga fillimi i hetimeve, V.H i kishte mohuar akuzat, duke deklaruar për Kiks Kosovën se nuk kishte trafikuar apo shfrytëzuar vajza të mitura për prostitucion dhe se gjithçka ishte e pavërtetë. Ajo kishte pretenduar se natën e arrestimit ndodhej në një vilë në Lipjan vetëm për të pushuar, pasi paraprakisht kishte dërguar motrën për trajtim mjekësor.

Megjithatë, në të njëjtën intervistë ajo kishte pranuar se vite më parë ishte marrë me prostitucion për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe se për vepra të ngjashme kishte vuajtur edhe dënim, për të cilin kishte thënë se ishte penduar.

Edhe motra e saj, e cila në aktakuzë figuron si njëra nga viktimat, kishte mohuar para kamerës së Kiks Kosovës se ishte trafikuar nga motra, ndërsa nëna e tyre kishte deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni për arsyet e arrestimit të vajzës.

Në anën tjetër, familjarët e dy viktimave të tjera kishin deklaruar se vajzat e tyre largoheshin nga shtëpia për disa ditë, ndërsa njëra prej tyre, sipas tyre, ishte kërcënuar vazhdimisht nga E.S dhe një herë ishte kthyer e rrahur në shtëpi.

Sipas aktakuzës, veprimtaria kriminale kishte zgjatur nga gushti i vitit 2024 deri më 15 mars 2025, kur policia arrestoi të dyshuarit pas një operacioni, pasi njëra nga vajzat kishte arritur të njoftonte të dashurin e saj dhe më pas ishte kërkuar ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Para shpalljes së aktgjykimit, mbrojtja e V.H kishte kërkuar lirimin e saj, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte arritur ta provonte aktakuzën dhe se vetë e pandehura duhej të trajtohej si viktimë e jo si autore e veprave penale. Gjykata nuk i pranoi këto pretendime dhe e shpalli fajtore për trafikim me njerëz dhe mundësim të prostitucionit.

Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishin të pranishëm as të dënuarit dhe as viktimat.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT