Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj i ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, tha se Dhomat e Specializuara nuk ishin transparente në raport me publikun.
Duke komentuar raportin britanik mbi Gjykatën Speciale, Blakaj tha se ShSK nuk kanë bërë mjaftueshëm informim dhe ndërgjegjësim në mënyrë që publiku të kuptojë se çka po ndodhë në këtë proces, raporton klankosova.tv.
“Sigurisht, ndoshta pak ky raport e ka ngritur vetëdijen sidomos sa i përket transparencës së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Transparenca nuk ka ekzistuar ashtu siç e kemi pritur, ka pasur komunikime të ndryshme përmes komunikatave, video-mesazheve, mirëpo Dhomat e Specializuara të Kosovës, ashtu siç përmendet edhe në raport, është një gjykatë e krijuar nga Kosova dhe ata do të ishin, do duhej të ishin, shumë më transparentë dhe të vendosnin një lloj bashkëpunimi, jo vetëm me institucionet e Kosovës, por ndoshta edhe me shoqërinë në tërësi. Diçka që është shumë e rëndësishme është që Dhomat e Specializuara, edhe pse e kanë një program të informimit dhe ndërgjegjësimit, nuk kanë bërë mjaftueshëm që publiku në Kosovë të kuptojë se çka po ndodhë atje”, tha Blakaj në “Info Magazine”.


