Ish-ushtari nga Britania e Madhe, John Harrison, ka ndarë përvojën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kujtuar kohën kur kontribuoi në trajnimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e Koshares.
Harrison tregoi se si, së bashku me njësinë “Delta”, ka përgatitur luftëtarët e UÇK-së për frontin e luftës.
“Ishte një përvojë shumë e mirë. Isha instruktor për njësinë ‘Delta’, njësia e komandant Hadergjonaj. Ne stërvitëm burra që, në thelb, të shkonin në front dhe të ishin të parët që hynin në sulm. Çdo minutë që isha në Kosovë, isha shumë krenar dhe e shijova në maksimum. Thjesht shumë kujtime shumë të mira,” tha Harrison për Ekonomia Online.
Ai ndau edhe një moment prekës që i ka mbetur në kujtesë nga lufta.
“Mendoj se një nga kujtimet që më ka mbetur në mendje është një burrë që erdhi i plagosur me cifla predhash (shrapnel) në gjithë gjoksin e tij. Ai po qante si i çmendur. U kthye nga unë, më shikoi dhe më tha: ‘O Johnny, si je?’. Krejt papritur. Fytyra e tij më ka mbetur në mendje përgjithmonë”, rrëfeu ai.
Harrison theksoi se mirësia dhe humanizmi i ushtarëve të UÇK-së kanë lënë gjurmë të thella tek ai.
“Kjo do të më mbetet gjithmonë: mirësia e këtyre burrave. Në kulmin e luftës ata ishin të zemëruar, bënin punën e tyre në mënyrë profesionale, por kur ktheheshin, ishin njerëzit më të sjellshëm dhe më të ngrohtë që mund të imagjinoni.”
Britaniku shtoi se shumica e luftëtarëve kishin trajnim bazik, por sipas tij, vendimtare ishte përballja me një forcë më të madhe.
“Vetëm pak prej tyre ishin shumë mirë të stërvitur. Po, ata morën pak stërvitje, disa stërvitje shumë, shumë bazike. Por nuk ishte kjo ajo që i vrau; ishte forca dërrmuese e serbëve që ne e mposhtëm në fund në Koshare. Burrat që unë stërvita luftuan mirë, u hodhën në çfarëdo që ishte e nevojshme dhe e përfunduan misionin”, deklaroi ai.
Duke kujtuar të rënët, Harrison u shpreh se shpesh ndjen dhimbje për humbjet në luftë.
“Për djemtë që humbën jetën… unë qaj për ta shpeshherë. Memorialet si ky më sjellin lot në sy sepse i kujtoj këta njerëz”, tha ai.
Në lidhje me zhvillimet aktuale dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Harrison u shpreh kritik dhe i drejtpërdrejtë.
“Mendoj se ai është i krisur që mendon se Kosova është Serbi. Kosova është Republikë. Ne luftuam për të.”
Ai paralajmëroi gjithashtu për nevojën që Kosova të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.
“Nuk e di realisht se si është stërvitja e tyre tani. Po flisja me dikë ditën tjetër dhe po thosha se, vërtet dhe sinqerisht, Kosova duhet të riarmatoset seriozisht dhe shpejt me artileri të rëndë dhe transportues të blinduar personeli. Sepse Serbia po riarmatoset.”
Harrison shtoi se një zhvillim global mund të ndikojë edhe në rajon.
“Besoj se ‘drita e gjelbër’ që Serbia të provojë të sulmojë përsëri Kosovën do të jetë momenti kur Kina të hyjë në Tajvan. Kur bota t’i ketë sytë andej, Serbia do të lëvizë në këtë drejtim jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë.”
Në fund, ai theksoi se ende nuk arrin të kuptojë mentalitetin serb, pavarësisht përvojës së tij në rajon.
“Pse mentaliteti i serbëve është i tillë… nuk kam takuar kurrë mentalitet të ngjashëm. Nuk e kam kuptuar kurrë, edhe pse isha në Kroaci dhe Bosnjë, ende nuk e kuptoj mentalitetin e popullit serb”, u shpreh ai.
John Harrison është pajisur gjithashtu me pasaportë të Republikës së Kosovës.


