Gati që 2 vjet KEK-u nuk po mund të vendos për tenderin 11 milionësh.
Pas dështimit të parë, KEK-u rinisi procedurat për të njëjtin tender, por ende nuk është shpallur njoftimi për kontratë.
Në garën e ngushtë për tenderin 11 milionësh janë kompanitë “Beni Dona Plast” dhe “7 vëllezërit”.
Janë bërë 5 vjet që kur punëtorët e KEK-ut marrin nga 5 euro shtesë për shujta ditore. Ky opsion ishte i duhuri për ta, të cilët për këto vjet vendosën vetë se ku e si të ushqehen. Madje, përgjatë gjithë kësaj periudhe, thonë se nuk ka pasur kurrë asnjë ankesë për ushqimin.
Megjithatë, menaxhmentit të KEK-ut me gjasë nuk i pëlqeu kjo alternativë. Prandaj, nisi procedurat e prokurimit për të kontraktuar një kompani e cila do të bëjë përgatitjen e ushqimit për punëtorët e saj.
Hiç më pak se 10 milionë e 891 mijë e 270 euro ka ndarë KEK për këtë kontratë e cila është planifikuar të zgjasë 36 muaj.
E gjithë historia e këtij tenderi nisi më 21 gusht të 2023-ës kur u hap për herë të parë, pas ndryshimeve e korrigjimeve të shumta në dosjen e tenderit, kjo procedurë u anulua në nëntor të atij viti.
Në arsyetimin e vendimit për anulim thuhej se tenderi kthehej në pikën zero për shkak se nuk kanë ofertuar të paktën tre operatorë të përgjegjshëm, që është kusht, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, për t’u zhvilluar një aktivitet i prokurimit.
Dështimi i parë, nuk e zbrapsi menaxhmentin e KEK-ur për të bërë një tentativë tjetër. Më 21 janar të 2024-ës për herë të dytë u hap tenderi rreth 11 milionësh për të njëjtin qëllim, rifunksionalizimit të menzave dhe përgatitjen e ushqimit për punëtorët e TC Kosova A, TC Kosova B dhe Divizionit të Qymyrit.
Ky tender u nda në dy llote. Loti i parë i cili është furnizimi dhe përgatitja e ushqimit kap vlerën e 9 milionë e 891 mijë e 270 euro.
Ndërkaq për lotin e funksionalizimin të menzës, KEK ndau 1 milion euro.
Nga tre kompanitë që ishin favorit për të fituar këtë tender, KEK-u eliminoi “Global Parajsën” nga Vushtria dhe momentalisht në garën për 11 milionë euro janë “Beni Dona Plast” dhe “7 vëllezërit”.
Nëse tenderi i jepet ndonjërës kompani, rreth 4 mijë punëtorëve rrezikohen t’u zvogëlohen pagat për të paktën 110 euro, për të shtesave që marrin për shujta ushqimore.
Kiks Kosova nga 20 shkurti ka dërguar pyetje në adresë të KEK-ut për të kuptuar se ku ka mbetur ky tender dhe çfarë do të ndodhë me shtesat që marrin punëtorët për shujta ditore, por nga kjo ndërmarrje nuk kanë kthyer ende përgjigje.
The post “Beni Dona Plast” në garën e ngushtë për tenderin 11 milionësh në KEK (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


