Friday, August 14, 2026
spot_img
HomeLajmeBastisje në Ferizaj: Policia gjen kallashnikov e pistoletë në bagazhin e BMW-së...

Bastisje në Ferizaj: Policia gjen kallashnikov e pistoletë në bagazhin e BMW-së – sekuestrohen 181 fishekë

Një aksion policor është zhvilluar të enjten në fshatin Manastirc të Ferizajt, ku gjatë bastisjes së pronës së një 35-vjeçari është zbuluar një arsenal armësh dhe municioni, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është F. H. rreth 35-vjeç, i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.

Aksioni është realizuar më 13 gusht, nga Njësiti i Hetimeve, në zbatim të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë bastisjes, hetuesit kanë kontrolluar edhe garazhin në oborrin e shtëpisë, ku në bagazhin e një BMW-je të zezë, pronë e të dyshuarit, kanë gjetur një AK-47 me tre karikatorë dhe 139 fishekë.

Por kontrolli ka rezultuar edhe me gjetjen e një arme tjetër.

Policia ka sekuestruar edhe një pistoletë “Zigana”, dy karikatorë dhe 42 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Në total, bashkë me dy armët, janë sekuestruar 181 fishekë dhe pesë karikatorë.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, me autorizimin e të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.

Rasti pritet të procedohet në Prokurori me procedurë të shpejtë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT