Një 33-vjeçar nga Kosova, i cili u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur rëndë në Mynih të Gjermanisë, kishte arritur të kontaktonte policinë menjëherë pas sulmit, duke vënë në lëvizje një operacion të madh policor.
Tashmë, hetimet kanë çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për tentativën e vrasjes.
Ngjarja kishte ndodhur në rrugën Schleißheimer Strasse, ku 33-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri dhe kishte marrë plagë në bark.
Shërbimet emergjente e dërguan atë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale po atë natë.
Pas hetimeve intensive nga Komisariati 11, policia identifikoi dy të dyshuar, një 24-vjeçar dhe një 25-vjeçar, të dy shtetas turq, shkruan “Abendzeitung München”.
Me kërkesë të Prokurorisë Publike të Mynihut I, Gjykata e Qarkut në Mynih lëshoi urdhërarreste ndaj dy të dyshuarve.
Të mërkurën, më 9 shtator, në orët e para të mëngjesit, një njësi speciale e policisë bastisi një apartament në Mynih, ku arriti t’i kapte dhe arrestonte të dyshuarit.
Pas daljes para gjyqtarit hetues, të dy janë dërguar në paraburgim.
Sipas policisë, ekzistojnë indicie për një vepër penale të lidhur me drogën. Dy të dyshuarit ishin të njohur më herët për policinë, ndërsa bëhet e ditur se ata dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin.
Gjendja shëndetësore e 33-vjeçarit është aktualisht e qëndrueshme dhe jeta e tij nuk është në rrezik, ka bërë të ditur një zëdhënës i policisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


