Thursday, July 2, 2026
spot_img
HomeLajmeArrestohen 8 persona në Britani, dyshohen se drogonin gratë dhe më pas...

Arrestohen 8 persona në Britani, dyshohen se drogonin gratë dhe më pas kryenin marrëdhënie me to

Tetë persona janë arrestuar në Britani si pjesë e një hetimi mbi një rrjet ndërkombëtar burrash që dyshohet se drogonin dhe abuzonin seksualisht me gratë, ka njoftuar sot Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).

Kjo agjenci që heton krimin e organizuar ndërkombëtar dhe veprat e rënda penale, njoftoi se ka zbuluar një rrjet ndërkombëtar të përbërë kryesisht nga burra, të cilët dyshohet se kanë kryer sulme seksuale të organizuara ndaj grave, pasi i kishin vënë ato nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Hetimi nisi pasi gazetarë gjermanë zbuluan në vitin 2025 një forum online ku shkëmbeheshin materiale dhe informacione që lidhen me këto krime.

Më pas, NCA identifikoi atë që e përshkroi si “një rrjet ndërkombëtar”, me anëtarë në dhjetëra vende dhe në të gjitha kontinentet.

Hetimi i platformës, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, çoi në arrestimin e tetë personave në Britani. Ndërkohë, 14 hetime të tjera janë në zhvillim, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në vende të tjera.

Sipas autoriteteve, janë identifikuar më shumë se 270 persona të lidhur me këtë forum.

“Sulmet seksuale të lehtësuara nga përdorimi i drogës nuk janë më incidente të izoluara, por po bëhen gjithnjë e më të organizuara”, deklaroi Nigel Leary, zëvendësdrejtor i NCA-së.

Ai shtoi se fenomeni po favorizohet nga platformat dixhitale dhe theksoi se “shkalla e këtij fenomeni që kemi parë deri tani është thellësisht shqetësuese”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT