Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, është vendosur në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Masa e sigurisë është kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), raporton Balkanweb.com, transmeton Sinjali
Hyseni ka qenë më herët në shënjestër të akuzave të opozitës në Shqipëri.
Ajo mori zyrtarisht detyrën si drejtoreshë e SHISH-it në prill të vitit 2023, duke u bërë gruaja e parë që drejton shërbimin inteligjent shqiptar.
Kush është Vlora Hyseni?
Hyseni ka lindur në Kosovë në vitin 1984 dhe ka shtetësi kosovare dhe shqiptare.
Ajo e ka nisur karrierën profesionale në vitin 2008 në Prishtinë, ndërsa në vitin 2010 iu bashkua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në shkurt të vitit 2019, Hyseni u emërua zëvendësdrejtoreshë e AKI-së, me përgjegjësi në disa fusha të funksionimit të agjencisë.
Në dhjetor të vitit 2020, ajo u bë ushtruese e detyrës së drejtoreshës së AKI-së, pozitë të cilën e mbajti deri në prill të vitit 2021, kur në krye të agjencisë u emërua Petrit Ajeti.
Më pas, Hyseni u shkarkua nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Në atë kohë, Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit e kishin paralajmëruar Hysenin për obligimin për ruajtjen e informacioneve të klasifikuara që i kishte në posedim nga puna në AKI.
Tre muaj pas largimit nga pozita në Kosovë, Hyseni u emërua këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Ajo e mbajti këtë pozitë nga shtatori i vitit 2021 deri në prill të vitit 2023.
Me propozim të Ramës, Hyseni u emërua drejtoreshë e SHISH-it në prill të vitit 2023, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni.
Sipas biografisë së publikuar nga SHISH, Hyseni është diplomuar për Drejtësi dhe ka përfunduar studimet master për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së saj, ajo është trajnuar në fushat e sigurisë, inteligjencës, mbrojtjes, lidershipit, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë programe të organizuara nga Këshilli i Evropës, Universiteti Georgetown në SHBA dhe institucione të tjera.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


