Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj katër të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Vendimi është marrë më 19 gusht 2026 nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, në çështjen penale ndaj Fitim Mustafës, Dhurata Hoxhës, Gëzim Dushit dhe Ekrem Tahirit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 14 tetor 2024.
Me aktgjykimin e shkallës së parë, katër të akuzuarit ishin liruar nga akuza, pasi Gjykata kishte vlerësuar se nuk ishte provuar se ata kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.
Prokuroria Speciale kishte kërkuar ndryshimin ose anulimin e aktgjykimit, duke pretenduar se gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Në ankesë, Prokuroria kishte pretenduar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor mbështesnin përgjegjësinë penale të të akuzuarve. Rasti lidhej me pretendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëm ndaj buxhetit, në vlerë prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.
Megjithatë, Kolegji i Gjykatës së Apelit, pas shqyrtimit të ankesës dhe aktgjykimit të shkallës së parë, ka vlerësuar se pretendimet e Prokurorisë janë të pabazuara.
Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se nuk ekzistojnë baza për anulimin apo ndryshimin e vendimit.
Me këtë vendim, aktgjykimi lirues ndaj Fitim Mustafës, Dhurata Hoxhës, Gëzim Dushit dhe Ekrem Tahirit është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


