Tuesday, August 18, 2026
spot_img
HomeLajmeAktivizohet “Michael Scofield” te kontrabanduesit, afro 2 mijë dërgesa me drogë përmes...

Aktivizohet “Michael Scofield” te kontrabanduesit, afro 2 mijë dërgesa me drogë përmes dronëve në burgjet e Francës

“Michael Scofield” duket se është “aktivizuar” te kontrabanduesit në Francë, por në vend të planeve për arratisje, ata po përdorin dronë për të dërguar drogë dhe produkte të ndaluara në burgje.

Në burgun e Villefranche-sur-Saône, autoritetet kanë zbuluar një rrjet të organizuar që dyshohet se ka kryer 1,826 dërgesa me dronë në vetëm 51 ditë.

Hetuesit kanë vlerësuar se përmes këtyre dërgesave janë futur rreth 30 kilogramë drogë në burg, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Gjatë një operacioni më 4 gusht, pesë persona u arrestuan, tre prej tyre në flagrancë. Autoritetet sekuestruan rreth 500 gramë kanabis, 10 bokse cigare, 6 mijë euro para të gatshme, një automjet dhe dronin e përdorur për dërgesat.

Hetimet zbuluan se grupi kishte një organizim të strukturuar, ku secili person kishte një rol të caktuar, nga marrja e porosive dhe logjistika deri te dërgimi i pakove.

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në burgje të tjera franceze, ku përmes dronëve janë futur drogë, telefona celularë dhe karta SIM.

Fenomeni tashmë po shkakton probleme edhe jashtë burgjeve. Në Strasbourg, dronët kanë penguar helikopterët mjekësorë që të ulen gjatë natës në helipadën e spitalit Hautepierre, për shkak të rrezikut të përplasjes.

Përballë rritjes së këtij fenomeni, autoritetet franceze kanë shtuar sistemet kundër dronëve në burgje. Deri në shkurt të vitit 2026, 62 sisteme kundër dronëve ishin instaluar dhe funksionalizuar në burgjet franceze.

Michael Scofield është personazhi kryesor i serialit amerikan Prison Break, i cili në serial njihet për planin e tij të jashtëzakonshëm për të nxjerrë vëllain nga burgu.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT