Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin e qëllimshëm në lokalin “Gate Club”, në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2026, SH.T. dhe Florim Sadikun. akuzohen për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa B.H., I.M. dhe RR.A. për “Shtytje nga zjarrvënia”. Ndaj Florim Sadikun, rëndon edhe akuza për “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Sipas Prokurorisë, më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në objektin e “Gate Club”, në rrugën “Epiri”, SH.T. dhe Florim Sadikun., në bashkëkryerje dhe pas shtytjes nga RR.A., dyshohet se i kanë vënë zjarrin lokalit në këmbim të 3 mijë eurove.
Si pasojë e zjarrit, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material prej 969 mijë e 435 eurosh. Fatmirësisht, nga zjarri nuk kishte persona të lënduar.
Për këtë rast, Sinjali kishte raportuar më 9 korrik 2025 se, pas hetimeve të zhvilluara nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ishin arrestuar dy persona të dyshuar për zjarrvënien.
Sipas informacioneve të siguruara atëkohë nga Sinjali, bëhej fjalë për Florim Sadikun, 37-vjeçar.
Ndërkohë, aktakuza e ngritur tash nga Prokuroria përfshin edhe një rast tjetër të zjarrvënies. B.H. dhe I.M. dyshohet se, nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që t’i vërë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S., me motiv të dyshuar hakmarrjeje.
Nga djegia e automjetit, sipas Prokurorisë, është shkaktuar dëm material prej 54 mijë e 892.72 eurosh.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, pesë të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënojë sipas ligjit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


