Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Kibernetike, ka realizuar një aksion në disa lokacione, duke arrestuar dy persona të dyshuar për mashtrim, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe ndodhen në arrati.
Gjatë operacionit janë zbatuar tre urdhër-kontrolle, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një veturë, telefona mobilë, kartela SIM dhe dokumente bankare.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit dyshohet se kanë organizuar një skemë mashtrimi përmes mesazheve SMS, duke u paraqitur si banka komerciale dhe duke i orientuar qytetarët në faqe të rreme për të vjedhur të dhënat bankare.
Në komunikatën zyrtare thuhet se viktimat kanë pranuar mesazhe me përmbajtje paralajmëruese për “aktivitet të dyshimtë në llogari”, duke u kërkuar verifikim përmes linkeve mashtruese.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


