Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së mërkurës në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut, ku një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, njëri nga personat që ndodhej në kamion ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër është dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se identiteti i dy personave që udhëtonin në kamion ende nuk është përcaktuar dhe po punohet për të sqaruar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo personi tjetër i transportuar në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, një 28-vjeçar me inicialet R.N., ka marrë trajtim mjekësor dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e aksidentit kanë dalë shërbimet policore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të plota të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


