Mbidoza, kishte qenë diagnoza që mjekët e Spitalit të Prizrenit ia kishin dhënë nënës së Besim Krrabajt, këtu e 8 vjet më parë, kur ai ishte dërguar me Emergjencë aty.
Merita Hyseni, e cila të birin e gjeti krejtësisht të palëvizshëm, nuk u kishte besuar kurrë fjalëve të mantelbardhëve.
E bindur se djali i saj nuk ka konsumuar asnjëherë substanca narkotike dhe pasi kishte dëgjuar prej tij se është rrahur nga zyrtarët policorë, ajo thotë se e dinte që ky ishte një kamuflim për t’i mbuluar e shpëtuar policët.
Pretendimet e të birit të saj dhe të Meritës u verifikuan 8 vjet pas vdekjes së Besimit, kur ajo mori në dorë autopsinë që iu bë në Tiranë, sipas të cilës, 19-vjeçari vdiq nga goditjet e shkaktuar me mjet të fortë, si dhe nga rënia nga një nivel në tjetrin.
Atë që e kishte ditur që më 13 qershor të 2016-ës, Merita Hyseni e konfirmoi zyrtarisht tetë vjet pas vdekjes së djalit të saj, Besim Krrabaj.
Nëna nga Prizreni ka në dorë një dëshmi të fortë në rrugën e saj për të gjetur drejtësi për të birin e saj të ndjerë.
Autopsia e cila iu bë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku vdiq Besimi, rezultoi se 19-vjeçari kishte thyerje e ndrydhje të unazave të qafës, gërvishje, ënjtje të trurit e dëmtime në mushkëri.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjor, Fatos Sinani dhe Elton Serani, të cilët e kryen ekspertimin e kufomës së Besimit, këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë goditës dhe rëniet nga një nivel në një nivel tjetër.
Përfundimisht, në autopsi thuhet se shkaku i vdekjes së Besimit ka qenë ndalimi i qendrës së frymëmarrjes si pasojë e shtypjes apo ndrydhjes së trurit.
E këtë dëshmi 48-vjeçarja e siguroi vetëm pas interesimit të Kiksit, ndonëse ky akt i ekspertimit mjeko-ligjor i ishte dorëzuar Prokurorisë së Prizrenit në mars të 2023-ës, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Tiranë.
E vërteta për vdekjen e Besimit, sipas nënës së tij, do të kuptohej qysh në kohën kur kishte ndodhur rasti në oborrin e shkollës, nëse mjekët e spitalit të Prizrenit do ia ofronin trajtimin e duhur.
Por, 48-vjeçarja thotë se i biri i saj, tashmë i ndjerë, u maltretua në spital, kur kishte pritur me orë të tëra që të marrë qoftë edhe ndihmën e parë.
E pasi ia kishin bërë rezonancën, Merita thotë se mjekët në spitalin e Prizrenit e kishin rekomanduar që ta dërgonte djalin në QKUK, me arsyetimin se nuk kanë mjekë që lexon CD-ja.
Tortura në Spitalin e vendlindjes për Besimin kishte vazhduar edhe kur mjekët nga kryeqyteti e kthyen mbrapsht.
Tri ditë pasi qëndroi në Spitalin e Tiranës, 19-vjeçari ishte dërguar në intensivë, ku edhe i ishte nënshtuar një operacioni dhe një rezonance e cila rezultoi se Besimi nuk ishte në atë gjendje nga mbidoza.
Merita akuzon Policinë dhe doktorët në Prizren se shpifën që Besimi ishte në atë gjendje nga mbidoza, sipas saj, vetëm për ta kamufluar rastin dhe për të shpëtuar policët, të cilët i akuzon se ia rrahën djalin.
Madje, këtë arsyetim ia kishte përmendur edhe avokati që ajo e kishte angazhuar për rastin e të birit, i cili i kishte thënë se këtë informacion ia kanë dhënë policët.
Shpifjet thotë ajo kishin shkuar aq larg, saqë dikush nisi të përhapte fjalët që Merita ka probleme mendore që nga vdekja e Besimit.
Trillimet e tilla, ajo thotë se kanë për qëllim që ta pengojnë në misionin që i ka dhënë vetës për të pastruar emrin e të birit të ndjerë dhe vendosjes së drejtësisë për vdekjen e tij.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


