Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, ku një i mitur ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe ka përfshirë një automjet që drejtohej nga një 76-vjeçar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, automjeti tip “Nissan”, me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë, nënë e bir, shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, fëmija ka ndërruar jetë në spital, ndërsa nëna e tij po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


