Friday, July 10, 2026
spot_img
HomeLajme75 ha tokë në Gjilan për kompaninë “fiktive” të farmacistit dhe futbollistit...

75 ha tokë në Gjilan për kompaninë “fiktive” të farmacistit dhe futbollistit (VIDEO)

Komuna e Gjilanit po planifikon t’i japë në shfrytëzim për 99 vjet 75 hektarë tokë publike në fshatin Nasalë kompanisë “NordKos Sh.P.K.”, një biznes i regjistruar vetëm dy muaj para se të aplikonte për këtë pronë.

Bëhet fjalë për mbi 750 mijë metra katrorë tokë komunale, për të cilën kompania premton investim prej 700 mijë eurosh në sektorin e bujqësisë, për kultivimin e elbit, arrave, lajthive dhe grurit, si dhe ndërtimin e depove dhe objekteve përcjellëse, raporton Kiks Kosova.

Megjithatë, për një periudhë shfrytëzimi prej 99 vitesh, kompania planifikon hapjen e vetëm 8 deri në 12 vende të punës dhe ka kërkuar të lirohet nga taksat komunale për dhjetë vitet e para.

Kiks Kosova ka gjetur se ka mospërputhje faktesh në gjithë procedurën nga shprehja e interesit e deri te propozim-vendimi i kryetarit të Komunës, Alban Hyseni. Ky propozim-vendim për dhënien e kësaj prone mban datën 7 maj 2026, më shumë se një muaj para se kompania ta dorëzonte kërkesën zyrtare.

Në dokumentacion, si numër kontaktues i kompanisë figuron ai i zyrtarit për Marrëdhënie me Publikun në kabinetin e kryetarit Hyseni, ndërsa në adresën zyrtare ku thuhet se ndodhet selia e “NordKos”, ekipi i emisionit nuk gjeti asnjë biznes të regjistruar.

Pas reagimeve të opozitës, propozimi u tërhoq nga rendi i ditës i Kuvendit Komunal me arsyetimin se materiali nuk ishte kompletuar për shkak të një gabimi teknik.

Dhënia në shfrytëzim e kësaj toke është kundërshtuar edhe nga banorët e Nasalës.

Këshilli i fshatit dhe 46 familje kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar ndalimin e procedurës, pasi thonë se toka përdoret prej vitesh si kullotë dhe se nuk janë konsultuar fare nga komuna.

Edhe opozita ka ngritur dyshime për mungesë transparence dhe për mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë.

Ndërsa sipas avokatit Kasem Murturi, megjithëse mosha e kompanisë nuk përbën pengesë ligjore, arsyetimi për interesin publik dhe garancitë për realizimin e investimit nuk janë të mjaftueshme për një pronë publike me vlerë kaq të madhe dhe nëse nuk është e vëmendshme, Komuna e Gjilanit mund ta humbasë përgjithmonë atë pronë.

Ndiqni më poshtë kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë temë: 

Ndiqeni emisionin e plotë: 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT