U rritën dhe u martuan duke jetuar në një shtëpi, mirëpo problemi u doli kur erdhi dita që të ndanin tokën.
Katër vëllezërve nga fshati Milloshevë e Obiliqit iu nisën mosmarrëveshjet para gati 20 vjetësh, kur ndanë shtëpitë dhe iu desh të ndanin edhe pronat. Kur vëllai i madh, Muhamet Salihu, ndau shtëpinë në vitin 2005, për pak kohë gjithçka po shkonte siç duhej.
Pasi kishte kaluar disa kohë, njëri nga vëllezërit, i cili jetonte me babain, shkon me të tek noteri dhe të gjitha pronat i kalon nga babai në emër të tij. Një veprim të tillë, noteri atëkohë e kryen pa kërkuar as edhe një certifikatë mjekësore për gjendjen e të atit. Veprimin e të vëllait e kuptoi kur iu deshën disa dokumente në kadastër.
Problemi mes vëllezërve thellohet edhe më shumë kur tokën, të cilën e kishte blerë Muhameti vite më parë dhe e kishte lënë në emër të Behxhetit, ky i fundit po refuzonte t’ia kthente.
Për të gjitha këto veprime, Salihu kishte dërguar vëllain në gjykatë, duke e akuzuar për mashtrim.
Vëllai, në gjykatë, për shitjen e disa parcelave kishte deklaruar se ato janë shitur për ndërtimin e shtëpisë së Muhametit dhe vëllait tjetër.
Sipas Muhametit, një gjë e tillë nuk qëndron, pasi që ai shtëpinë e ndau në vitin 2005, ndërsa ajo parcelë ishte shitur vite më vonë. Edhe pse seancat gjyqësore po vazhdonin, sipas Muhametit, vëllai Behxheti kishte vazhduar manipulimet e tij me faktet.
Sipas tij, kishte dërguar të atin e sëmurë sërish tek noteri për të dokumentuar kinse po ia dhuronte tokën Muhametit babait dhe më tutje ta merrte mbrapsht. Sipas Muhametit, babai, i cili nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kur kuptoi se i biri e kishte bërë pjesë të mashtrimit, kishte pësuar sulm dhe kishte vdekur pas dy muajsh.
Për KIKS Kosovën, Muhameti thotë se ka tetë vjet që nuk flet me vëllain, madje përmend raste kur ai ka futur edhe familjarë të tjerë në telashe.
Problemet nuk po shihnin fundin, mirëpo një gjë tjetër e çuditi Muhametin, derisa ishte duke parë postime në Facebook.
Në rrëfimin e tij, ai thotë se një ditë kishte parë tokën e tij në shitje në një faqe të patundshmërive. I shqetësuar, kishte njoftuar agjensionin me të vërtetën.
Faktin se ajo parcelë i takon atij, thotë se e vërtetojnë kontratat që ka me personat që e kanë me qira atë tokë. Muhameti, për KIKS-in, u shpreh i zhgënjyer me sistemin e drejtësisë.
KIKS Kosova ka kontaktuar edhe vëllain tjetër, Behxhet Salihun, mbi të cilin rëndojnë akuzat, mirëpo i njëjti, nëpërmjet telefonit, ka thënë se mirëpret vendimet e gjykatës dhe nuk do që të japë versionin e tij.
Kronika të realizuara nga Kiks Kosova:


