Juventusi e ka mbyllur fazën përgatitore me fitore 2-0 ndaj ekipit të tij të ri, “Next Gen”, në një ndeshje që nuk arriti të përfundonte për shkak të hyrjes së tifozëve në fushë.
Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, dhjetëra tifozë kanë hyrë në fushë për t’iu afruar futbollistëve, për të bërë fotografi dhe për të marrë fanella apo pjesë të uniformave si kujtim.
Në mesin e lojtarëve që morën vëmendjen më të madhe ishte edhe reprezentuesi i Kosovës, Edon Zhegrova.
Një video e publikuar në rrjetet sociale është bërë virale, ku shihen tifozë të shumtë duke iu afruar Zhegrovës dhe duke kërkuar fotografi e fanellën e tij.
Edhe pse pamjet mund të krijojnë përshtypjen e një incidenti, hyrja e tifozëve në fushë ishte pjesë e një tradite të hershme të Juventusit dhe nuk lidhej me ndonjë përplasje apo pakënaqësi ndaj futbollistit kosovar.
Për shkak të hyrjes së tifozëve, gjyqtari u detyrua ta ndërpriste ndeshjen dhe të sinjalizonte përfundimin e saj.
Juventusi ka shpjeguar se trajneri Luciano Spalletti kishte planifikuar një formacion tjetër për pjesën e dytë, por tifozët hynë në fushë para se lojtarët të mund të riktheheshin në lojë.
“Luciano Spalletti dërgoi një formacion të ndryshëm për pjesën e dytë. Por para se ata të mund të futeshin në lojë, tifozët ndoqën traditën e kësaj ndeshjeje dhe u futën në fushë, duke sjellë fishkëllimin e përfundimit të ndeshjes”, ka shkruar Juventusi.
Pas ndërprerjes, fusha u shndërrua në një takim të drejtpërdrejtë mes lojtarëve dhe tifozëve, me fotografi, buzëqeshje dhe momente festive.
Sipas “Tuttosport”, kjo traditë te Juventusi daton prej 67 vitesh dhe ka për qëllim afrimin e tifozëve me futbollistët dhe krijimin e një atmosfere familjare rreth klubit.
Juventusi e ka mbyllur kështu fazën përgatitore, ndërsa vëmendja tani kthehet te sezoni i ri dhe ndeshjet zyrtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


