Tenisti australian Nick Kyrgios është pezulluar përkohësisht pasi ka rezultuar pozitiv në një test antidoping për kokainë.
Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit ka konfirmuar se mostra e dhënë nga Kyrgios më 22 qershor, gjatë turneut të Mallorcas, përmbante benzoilekgoninë, një metabolit të kokainës.
Sipas raportimeve të BBC-së, Kyrgios është nën pezullim të përkohshëm që nga 4 gushti.
Vetë tenisti ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku ka pranuar rezultatin pozitiv dhe ka thënë se ka bërë një “gabim të madh”, për të cilin merr përgjegjësi të plotë.
“Doja që këtë ta dëgjonit fillimisht nga unë. Së fundmi, dështova në një test antidoping në Mallorca, pasi rezultova pozitiv për kokainë. Kam bërë një gabim shumë të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”, ka shkruar Kyrgios.
Ai u ka kërkuar falje tifozëve, familjes, sponsorëve dhe personave të afërt, duke veçuar edhe fëmijët që e ndjekin.
Për shkak të pezullimit, 31-vjeçari nuk lejohet të luajë, të punojë si trajner apo të marrë pjesë në turnetë Grand Slam dhe garat e tjera nën kujdesin e ATP dhe WTA.
Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit ka bërë të ditur se Kyrgios ka të drejtë ta apelojë vendimin, por deri tani nuk e ka ushtruar këtë të drejtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


