Sunday, July 12, 2026
spot_img
HomeLajmeSamiti i NATO-s, Loshaj: Ndaj Kosovës, Turqia mund të ketë rol më...

Samiti i NATO-s, Loshaj: Ndaj Kosovës, Turqia mund të ketë rol më aktiv në të ardhmen (VIDEO)

Hulumtuesja dhe bashkëpunëtorja e projektit në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Jeta Loshaj, ka vlerësuar se Samiti i fundit i NATO-s shënoi një kthesë të rëndësishme në raportet transatlantike, duke theksuar se janë tejkaluar disa nga sfidat që kishin karakterizuar marrëdhëniet mes aleatëve.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Loshaj tha se qasja e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump ka shërbyer si një “këmbanë alarmi” për Evropën, e cila sipas saj duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e kontinentit.

Mendoj se ka qenë një lloj këndelljeje për gjithë Evropën. Qasja jo konvencionale e presidentit Trump ka kërkuar një qasje shumë më proaktive nga Evropa për të marrë përgjegjësinë për territorin e saj dhe për autonominë strategjike. Kjo është një çështje që diskutohet prej fillimit të luftës në Ukrainë, por Evropa nuk e kishte marrë seriozisht mesazhin se administrata e re amerikane e ka seriozisht ndarjen e përgjegjësive në fushën e sigurisë”, u shpreh ajo.

Sipas Loshajt, tashmë po bëhet më e qartë mënyra se si do të ndahen përgjegjësitë mes ShBA-së dhe Evropës brenda Aleancës.

ShBA-ja do të fokusohet më shumë në parandalimin bërthamor, mbrojtjen konvencionale dhe rajonin Indo-Paqësor, ndërsa Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sfidat që lidhen drejtpërdrejt me kontinentin, përfshirë luftën në Ukrainë. Megjithatë, bashkëpunimi mbetet i rëndësishëm dhe kjo u pa edhe në samitin e kësaj jave” ka thënë ajo.

Duke folur për rolin e Turqisë, Loshaj tha se Ankaraja ka dëshmuar se mund të shërbejë si urë lidhëse mes NATO-s dhe rajoneve të tjera.

Turqia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka tentuar të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes Ukrainës dhe Rusisë. Samiti i këtij viti dëshmoi se, falë pozitës së saj gjeografike, ajo mund të jetë një urë komunikimi mes komunitetit euroatlantik dhe Lindjes së Mesme. Qasja e saj ka qenë pragmatike dhe është reflektuar pozitivisht edhe në raportet me presidentin Trump”, ka thënë Loshaj

Loshaj vlerësoi se samiti ka dhënë sinjale pozitive për të ardhmen e Aleancës.

Mesazhi ishte pozitiv. Përveç disa rezervave nga Spanja, ky samit tregoi se janë tejkaluar disa sfida dhe se është kuptuar më mirë se ku duhet të pozicionohet NATO në vitet e ardhshme. Turqia luajti një rol konstruktiv në këtë proces”, tha ajo.

Ajo shtoi se nuk bëhet fjalë për një ristrukturim të NATO-s, por për një ndarje më të balancuar të përgjegjësive ndërmjet aleatëve.

Sa i përket Kosovës, Loshaj tha se Turqia mund të ketë një rol edhe më aktiv në të ardhmen, sidomos nëse SHBA-ja vendos të reduktojë praninë ushtarake në Evropë.

Po e shohim një rol më proaktiv të Turqisë, sidomos në rastin e Kosovës. Nëse realizohet rishikimi gjashtëmujor që ka paralajmëruar SHBA-ja dhe tërhiqen disa trupa nga Evropa, atëherë mund të krijohet më shumë hapësirë për Turqinë. Kjo duket se është një nga drejtimet që administrata Trump e ka paralajmëruar”, tha Loshaj.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT