Friday, July 10, 2026
spot_img
HomeLajmePushuesja gjendet pa shenja jete në “Onix Spa” në Banjë të Istogut,...

Pushuesja gjendet pa shenja jete në “Onix Spa” në Banjë të Istogut, trupi dërgohet për obduksion

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së enjtes në qendrën rehabilituese “Onix Spa” në Banjë të Istogut, ku një pushuese është gjetur pa shenja jete në dhomën e saj, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Zuba Murić, rreth 73-vjeçar.

Sipas informacioneve, rreth orës 17:05, infermieri i qendrës rehabilituese, gjatë kontrollit në objekt, e ka gjetur gruan pa shenja jete në dhomën ku ishte e akomoduar.

Menjëherë janë ndërmarrë përpjekje për t’i ofruar ndihmën e parë, fillimisht nga infermieri e më pas edhe nga mjeku kujdestar i qendrës, por pa sukses. Mjeku ka konstatuar vdekjen e saj në vend.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Rrethanat e vdekjes mbeten objekt i hetimeve të organeve kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT