Kryetari i degës së Aleancës në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, ka akuzuar Qeverinë për bllokim të pushtetit lokal dhe përpjekje për t’i kufizuar kompetencat e komunave, ndërsa ka lidhur me këtë situatë edhe protestën e paralajmëruar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës për 1 shtator.
Smajlaj ka thënë se pushteti lokal po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme administrative, duke pretenduar se kjo është pasojë e një politike që synon dobësimin e nivelit lokal.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për Draftin e ri të Projektligjit për Pronën Publike, duke pretenduar se ai mund të rrezikojë pronësinë e komunave mbi shkollat, tokat, qendrat mjekësore dhe ndërtesat publike.
Sipas tij, Aleanca që nga qershori ka paraqitur zgjidhje konkrete për problemet që, siç thotë ai, janë krijuar në nivelin lokal dhe në veçanti në Prishtinë.
Postimi i plotë:
Sot pushteti lokal ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të një ngulfatjeje të qëllimshme administrative. Ky bllokim ka një emër të qartë. Protesta e paralajmëruar nga Asociacioni i Komunave për 1 shtator vjen si rezultat direkt i një politike që po tenton ta zhveshë nivelin lokal nga çdo kompetencë.
Drafti i ri i Projektligjit për Pronën Publike e shpërfaq hapur këtë tendencë, duke rrezikuar që komunat të humbasin pronësinë mbi shkollat, tokat, qendrat mjekësore dhe ndërtesat publike.
Largpamësia e Aleancës që nga qershori ka qenë pikërisht mbivendosja mbi këto kriza përmes zgjidhjeve konkrete që parashihen në ofertën tonë. Një nga pikat kyçe është pikërisht ajo për Prishtinën, e pikat tjera prekin secilat fusha që janë lënë në harresë nga kjo qeveri.
Nëse partia që ka fituar zgjedhjet do të pranonte ofertën tonë, përveç se do t’i merrte votat e Aleancës dhe do t’i krijonte institucionet, do të bënte edhe një kthesë të madhe: do ta çlironte Prishtinën, e cila sot është e ngulfatur nga mungesa e buxhetit që ka rezultuar në mungesë totale të investimeve.
Fondi Emergjent për Prishtinën dhe ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për investime kapitale vetëm për kryeqytetin u vendos sepse kjo pikë specifike garanton financimin e plotë të të gjitha projekteve rrugore, unazave dhe investimeve madhore kapitale që sot kanë mbetur plotësisht pezull nga mungesa e mjeteve.
Derisa kjo Qeveri i sheh qytetet tona si rivalë, Aleanca ka projektin shtetëror që e nxjerr kryeqytetin nga izolimi, duke e çliruar përfundimisht Prishtinën nga inatet politike.
Mjafton që partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet ta ketë vullnetin për të mos e bllokuar Kosovën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


