Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas konfirmimit të sotëm në Parlamentin Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.
Osmani ka thënë se Kosova mirëpret këtë vendim dhe ka falënderuar vendet aleate për përkrahjen e tyre në heqjen e sanksioneve.
Ajo ka theksuar se këto masa kanë qenë të padrejta dhe kanë pasur ndikim negativ në jetën e kosovarëve.
“Bazuar në vendimin e shpallur në dhjetor nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Leyen, për të hequr të gjitha masat e BE-së kundër Kosovës, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni se ky vendim tani është zbatuar plotësisht. Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe për të ecur përpara në rrugën drejt statusit të kandidatit të BE-së.
“Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt statusit të kandidatit të BE-së”, ka përfunduar ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


