Një ndërhyrje e rrallë dhe komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së, ku një pacienti 23-vjeçar i është hequr një tumor gjigant nga kaviteti torakal.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), tumori kishte një peshë prej 3.5 kilogramësh, ndërsa përmasat e tij ishin rreth 27 centimetra në gjatësi dhe 17 centimetra në gjerësi.
Ndërhyrja është konsideruar veçanërisht sfiduese për ekipin kirurgjik për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit dhe kompleksitetit të operimit në kavitetin torakal.
Operacioni është realizuar nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.
Në ndërhyrje ka marrë pjesë edhe ekipi i anestezionit, i udhëhequr nga Dr. Qendrim Morina, së bashku me instrumentarë dhe infermierë.
SHSKUK e ka vlerësuar rastin si dëshmi të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit multidisiplinar të stafit shëndetësor në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale.
“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Ndërhyrja është përfunduar me sukses, ndërsa nga SHSKUK nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të 23-vjeçarit pas operacionit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


