Saturday, July 11, 2026
spot_img
HomeLajmeKina në alarm për tajfunin e dytë brenda javës, “Bavi” i afrohet...

Kina në alarm për tajfunin e dytë brenda javës, “Bavi” i afrohet bregdetit

Qindra mijëra banorë janë evakuuar nga zonat lindore të Kinës, ndërsa tajfuni Bavi, i dyti që kërcënon vendin brenda një jave, po i afrohet bregdetit.

Autoritetet paralajmërojnë për reshje jashtëzakonisht të dendura dhe rrezik të lartë për përmbytje e rrëshqitje dheu.

Sipas parashikimeve, tajfuni pritet të godasë tokën pranë qytetit Wenzhou, në provincën Zhejiang, të dielën në mëngjes. Edhe pse është dobësuar në një tajfun të Kategorisë 1, stuhia vazhdon të konsiderohet e rrezikshme për shkak të sasisë së madhe të lagështirës që mbart, raporton BBC.

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar për reshje “jashtëzakonisht të rrëmbyeshme” në provincat Zhejiang dhe Fujian, ndërsa kanë bërë të ditur se evakuimet janë kryer për të shmangur pasojat e mundshme më të rënda. Qyteti i Wenzhou, me rreth 10 milionë banorë, ndodhet pranë trajektores së parashikuar të stuhisë.

Përpara se të afrohej drejt Kinës, Bavi goditi ishujt Sakishima në jug të Japonisë, ku plagosi të paktën pesë persona dhe la mijëra banorë pa energji elektrike. Më pas, stuhia solli reshje të dendura edhe në Tajvan, duke rritur rrezikun për rrëshqitje toke dhe duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen, megjithëse nuk janë raportuar viktima.

Më herët, tajfuni shkaktoi rrëshqitje toke në Filipine, ku humbën jetën të paktën 17 persona.

Bavi u formua fillimisht si një supertajfun, duke goditur Guamin dhe Ishujt Mariana Veriore me erëra që arritën deri në 290 kilometra në orë. Gjatë lëvizjes në Paqësor, ai u dobësua në rreth 144 kilometra në orë, por mbeti një kërcënim serioz për rajonin.

Në Tajvan janë anuluar dhjetëra fluturime, ndërsa shkollat kanë pezulluar mësimin. Banorët janë furnizuar me ushqime dhe produkte bazë në pritje të motit të keq.

Ndërkohë, Kina jugore vijon të përballet me pasojat e tajfunit Maysak, i cili goditi vendin në fillim të javës. Sipas autoriteteve, stuhia la të paktën 39 viktima, shkaktoi humbje të mëdha në bujqësi dhe solli edhe dy tornado të rralla në provincën Hubei.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT