Saturday, July 11, 2026
spot_img
HomeLajmeGoditet rrjeti kriminal shqiptar në Itali, grabiste hotelet luksoze – sekuestrohen 3...

Goditet rrjeti kriminal shqiptar në Itali, grabiste hotelet luksoze – sekuestrohen 3 kg kokainë

Një operacion i gjerë i zhvilluar nga autoritetet italiane ka çuar në çmontimin e tre grupeve kriminale të përbëra nga shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se ishin përgjegjës për një valë vjedhjesh në hotele luksoze në veri të Italisë.

Si rezultat i aksionit, 12 persona janë arrestuar, ndërsa pesë të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak. Dy anëtarë të dyshuar të rrjetit vijojnë të jenë në arrati dhe po kërkohen nga policia.

Sipas mediave italiane, të dyshuarit, kryesisht rreth moshës 30-vjeçare, vepronin në tri grupe të ndara dhe akuzohen për 63 vjedhje të dokumentuara. Objektiv i tyre ishin hotelet me katër dhe pesë yje në provincën autonome të Bolzanos, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar nga grabitjet vlerësohet në rreth 300 mijë euro.

Hetimet nisën në gusht të vitit 2025, pas rritjes së numrit të vjedhjeve në strukturat hoteliere të zonës. Ato u zhvilluan nga karabinierët në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Bolzanos.

Gjatë operacionit dhe kontrolleve të kryera, autoritetet sekuestruan edhe rreth tre kilogramë kokainë, çka ka shtuar dyshimet se grupet ishin të përfshira edhe në aktivitete të tjera kriminale.

Sipas hetuesve, rrjeti nuk vepronte vetëm në Tirolin Jugor, por dyshohet se aktiviteti i tij shtrihej edhe në rajone të tjera të Italisë. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme dhe për kapjen e dy personave që ende nuk janë arrestuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT