Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas konferencës së sotme për media në Kuvendin e Kosovës, të mbajtur së bashku me deputeten Time Kadrijaj, duke ngritur shqetësimin për pagat dhe shpenzimet e 463 të emëruarve politikë të Qeverisë në detyrë.
Sipas Ramadanit, këta të emëruar vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës, ndërsa shuma mujore e pagave të tyre arrin në rreth 486 mijë e 150 euro.
Ai thotë se kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet për mbushje telefonike, vetura, karburante dhe reprezentacion, duke bërë që kostoja totale të kalojë gjysmë milioni euro në muaj.
Ramadani e ka cilësuar këtë situatë si shkelje të rëndë ligjore dhe ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të nisë menjëherë hetimet.
“Duhet të ndalet gjakderdhja financiare”, ka deklaruar Ramadani.
Deputeti i Aleancës ka ngritur edhe shqetësime për mënyrën e emërimit të disa zyrtarëve, duke pretenduar se ka raste kur persona që kanë qenë shoferë janë emëruar më pas si këshilltarë politikë, me qëllim të rritjes së pagës.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Ramadani dhe Kadrijaj, mbi gjysmë milioni euro në muaj janë të barasvlershme me pagat e rreth 769 policëve, 862 pjesëtarëve të FSK-së, 909 zjarrfikësve ose 781 mësimdhënësve.
Aleanca kërkon që institucionet e drejtësisë të hetojnë ligjshmërinë e vazhdimit të këtyre pagesave dhe shpenzimeve nga buxheti i shtetit.


