Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit procesin e formimit të institucioneve dhe po e çon vendin drejt një cikli të ri zgjedhor.
Bajrami ka thënë se Kosova, pas tri palë zgjedhjesh, rrezikon të rikthehet sërish në zgjedhje, pa arritur të krijojë institucione funksionale dhe legjitime.
Ajo ka ironizuar me arsyetimet e përdorura nga pushteti gjatë kësaj periudhe, duke rikujtuar fillimisht deklaratën se “s’bën qerrja para kalit”, ndërsa më pas pretendimin se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike.
Sipas Bajramit, argumenti se moskonstituimi i Kuvendit po bëhet për të shmangur zgjedhjet është kontradiktor.
Postimi i plotë:
Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?
Nga “s’bën qerrja para kalit”, deri te “nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje politike, sepse nëse e bëjmë vendi shkon në zgjedhje” – janë arsyetimet me banale të cilat nga dhjetori i vitit 2024 po e mbajnë Kosovën pa institucione legjitime.
E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme.
Tash thonë: ”nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje për Presidentin, sepse nëse s’ka marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje”.
Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje.
Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?
Prandaj, sot secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të pyesë:
Çka po don Albin Kurti?
Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve?
Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?
Që tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje.
Pse?
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


