Arsenali ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar transferimin e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez, me synimin që marrëveshja të mbyllet para fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri.
Sipas raportimeve nga mediat angleze, klubi londinez ka avancuar në bisedimet për 26-vjeçarin, i cili shihet si një nga objektivat kryesorë të trajnerit Mikel Arteta për përforcimin e repartit ofensiv.
Alvarez thuhet se është i hapur ndaj një transferimi në Premier League, edhe pse më herët kishte preferuar një vazhdim të karrierës në Spanjë, te Barcelona ose Real Madridi. Megjithatë, Atletico Madridi nuk dëshiron ta shesë sulmuesin te rivalët e La Ligës dhe ka kundërshtuar interesimin nga klubet spanjolle.
Edhe Paris Saint-Germain ka monitoruar situatën e argjentinasit, por interesi i klubit francez deri tani nuk është konkretizuar, pasi kampionët e Francës po shqyrtojnë disa alternativa për sulmin.
Pavarësisht avancimit të negociatave, pengesa kryesore mbetet vlera e transferimit. Arsenali është i gatshëm të ofrojë rreth 90 milionë funte, ndërsa Atletico Madrid kërkon një shumë mbi 100 milionë funte për të lejuar largimin e sulmuesit.
Në bisedimet mes dy klubeve pritet të ketë rol të rëndësishëm drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, i cili njeh mirë strukturën e Atletico Madridit pas periudhës së tij në klubin spanjoll.
Alvarez mbetet një nga sulmuesit më të vlerësuar në Evropë dhe një marrëveshje e mundshme me Arsenalin do të përbënte një nga transferimet më të mëdha të merkatos së verës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


