Gjatë dy muajve të fundit, në Kosovë janë raportuar dhjetëra raste të të shtënave me armë zjarri në ahengje familjare, kryesisht gjatë dasmave.
Në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e këtyre rasteve, Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdon fushatën “Festo me zemër, jo me armë”, përmes së cilës synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe nxitjen e raportimit të keqpërdorimit të armëve të zjarrit.
Fushata synon veçanërisht parandalimin e të shtënave festive gjatë dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare.
Sipas të dhënave të publikuara nga MPB-ja, vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik 2026, qytetarët kanë raportuar 55 raste të të shtënave festive në Kosovë.
Në të gjitha rastet e raportuara, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme. Si rezultat, 48 persona janë shoqëruar, ndërsa janë konfiskuar 47 armë zjarri.
MPB-ja ka falënderuar qytetarët që kanë raportuar këto raste, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të njoftojnë autoritetet edhe në të ardhmen.
Qëllimi i fushatës, sipas MPB-së, është krijimi i një ambienti më të sigurt, pa prani të armëve dhe pa të shtëna gjatë ahengjeve familjare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


