E mërkurë, 16 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeZyrtarëve serbë u pengoi flamuri kombëtar, dështon takimi me KKSh-në Bujanoc

Zyrtarëve serbë u pengoi flamuri kombëtar, dështon takimi me KKSh-në Bujanoc

Një takim në mes kryetarit të Trupit Koordinues (TK) të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanopc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, ushtruesit të detyrës së drejtorit të shërbimit të TK në Bujanoc, Nenad Mitroviq dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka dështuar për shkak se dy serbët kanë refuzuar të mbajnë takim në një sallë ku ishte i vendosur flamuri kombëtar shqiptar.

Kështu së paku ka thënë vetë Rexhepi përmes një postimi në Facebook, i cili shprehet se qysh nga kërkesa për takim, e ashtu edhe gjatë organizimit të detajeve të takimit, nga zyrtarët e Trupit Koordinues kishte tendenca dashakeqe që si i tillë takimi të dështojë, “por sigurisht tendencat ishin që barra e fajit për dështimin e takimit të bie mbi Këshillin Kombëtar Shqiptar”.

Fillimisht, sipas tij, kërkesa e tyre ishte që takimi të mbahej në ambientet e shërbimit të Trupit Koordinues në Bujanoc, e pas refuzimit tonë, kërkesa e radhës, “edhe më absurde se e para, ishte që takimi të mbahet në, siç thoshin ata ‘lokacion neutral’, gjegjësisht në Sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc”.

“Këto kërkesa absurde, që në thelb përbëjnë mosnjohjen e Këshillit Kombëtar, si institucioni i vetëm që përfaqëson shqiptarët, nga ana jonë morën përgjigjen definitive, që takimi duhet të mbahet në hapësirat e Selisë së KKSh”.

“Edhe pas dakordimit përmes komunikimit zyrtar mes Trupit Koordinues dhe shërbimit të Këshillit, kërkesa tjetër ishte që takimi të mbahet, por në ambiente ku nuk ka asnjë flamur të vendosur”.

“Në këto hapësira, që nga themelimi i Këshillit si institucion e deri më tani, janë mbajtur takime të ndryshme me zyrtarë e përfaqësues shtetërorë të Serbisë, pikërisht në hapësirat ku qëndron i vendosur flamuri kombëtar”.

“Prandaj, informacionin se flamuri kombëtar do të qëndrojë në hapësirat ku ishte paraparë takimi, zyrtarët e Trupit Koordinues e kishin të qartë, dhe mbi këto premisa u dakordua takimi i sotëm në ora 14:30”, tha Rexhepi, raporton Klankosova.tv.

Tërë këtë zhvillim, ai e quan skenar të dobët, të përgatitur vetëm për spektakël mediatik, “kinse kryetari i Trupit Koordinues u ndie i befasuar me flamurin kombëtar në zyrën e takimit, ishte skenë sa e gërditshme, po aq denigruese për një përfaqësues shtetëror”.

Ai thotë se një shfaqje si kjo e sotmja, më së miri dëshmon mbi mosdurimin që ka në përgjithësi kjo garniturë udhëheqëse e Serbisë, e të cilën sot vetëm e interpretoi Aleksandar Martinoviq e Nenad Mitroviq.

Rexhepi thotë se kërkesat e shqiptarëve, të parapara që të diskutohen në takimin e paraparë, ishin që të diskutohej mbi Planin Aksional për periudhën 2023-2026, i aprovuar nga vetë Qeveria e Serbisë, e ku Trupi Koordinues ishte ndërmjetës në implementimin e tij.

Poashtu, ai tha se Martinoviqit do t’i bëhej një kërkesë e hapur në mënyrë që Plani Aksional do të diskutohet vetëm në nivele të larta shtetërore, edhe atë vetëm pas një raporti deri ku ka arritur realizimi i tij deri tani dhe cilët do të jenë hapat konkretë në të ardhmen.

“Në të kundërtën, çdo tentativë përmes Martinoviqit e Mitroviqit që me mbështetje simbolike të projekteve të caktuara dhe dialog bosh, është vetëm prolongim dhe tentim për ikjen nga përgjegjësia të cilën e kanë ndaj dokumenteve të nënshkruara nga vet institucionet shtetërore”, theksoi Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në fund, ai tha se për situatën e krijuar sot, do të njoftohen në detaje të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe ambasadat të cilat veprojnë në Serbi, e poashtu edhe Tirana e Prishtina. /Klankosova.tv

The post Zyrtarëve serbë u pengoi flamuri kombëtar, dështon takimi me KKSh-në Bujanoc appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT