(Radio Evropa e Lirë) Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë të martën se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Kjo vjen pak orë pas një njoftimi të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila bëri të ditur se ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së që ia ndalonte një kompanie të caktuar furnizimin me rrymë përmes shërbimit universal.
Rregullatori i energjisë sqaroi për REL-in se bëhet fjalë për një rast individual që ka të bëjë me një kompani të vetme, dhe jo me të gjitha bizneset.
Aktualisht, furnizues i shërbimit universal në Kosovë është KESCO, transmeton Klankosova.tv.
Sipas vendimit të ZRRE-së, të gjitha bizneset e mëdha – ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – nga 1 qershori janë të detyruara të dalin në tregun e hapur, që do të thotë se duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike.
Ky vendim është kundërshtuar nga komuniteti i biznesit, me arsyetimin se kompanitë e licencuara për tregtim me energji po ofrojnë çmime shumë të larta.
The post ZRRE-ja thotë se s’e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë appeared first on Klan Kosova.