ZKA: Mungesa e kontrolleve në platformën e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe sigurinë e shërbimeve

ZKA: Mungesa e kontrolleve në platformën e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe sigurinë e shërbimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka realizuar auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025, i cili ka vlerësuar nëse kjo platformë iu mundëson qytetarëve shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme.

Fokusi i auditimit ka qenë në shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe moduli “Pagesat elektronike”.

Ndonëse “Platforma e-Kosova” ka kontribuar në digjitalizimin, transparencën dhe efikasitetin e proceseve administrative, ajo vazhdon të përballet me mangësi në kontrollet e aplikacionit, të cilat ndikojnë në integritetin, saktësinë dhe sigurinë e të dhënave.

Sipas njoftimit për media, rezultatet e auditimit tregojnë se për shërbimet “Subvencionimi i librave” dhe “Shtesat për fëmijë”, mungesa e ndërlidhjes së duhur të sistemeve ka lejuar përfitimin e subvencionit të librave pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe për shtesat e fëmijëve aplikime të dyfishta, transmeton Klankosova.tv.

Mungesa e përditësimit të gjendjes së pagesës në kohë reale dhe kontrollet e dobëta në modulin e pagesave kanë lejuar pagesa të njëjta të ekzekutohen disa herë, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila menaxhon platformën e-Kosova nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave, duke lënë paqartësi mbi përgjegjësitë për sigurinë e informacionit, nuk garanton mjedis të sigurt informacioni për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre, si dhe nuk është e përgatitur për të rikthyer shërbimet në raste emergjente ose fatkeqësie duke rrezikuar vazhdimësinë e operacioneve shtetërore elektronike.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se Platforma e-Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në digjitalizimin e shërbimeve publike, megjithatë ka ende sfida në integrimin e sistemeve, sigurinë e informacionit, kontrollin dhe besueshmërinë e të dhënave, si dhe në vazhdimësinë e biznesit.

Me qëllim të përmirësimit të kontrolleve, integrimit, digjitalizimit dhe sigurisë së platformës e-Kosova, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 15 rekomandime”, thuhet në njoftim.

 

The post ZKA: Mungesa e kontrolleve në platformën e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe sigurinë e shërbimeve appeared first on Klan Kosova.