ZKA-ja evidenton mangësi në MASHTI

ZKA-ja evidenton mangësi në MASHTI

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për periudhën 2022–2024.

Auditimi ka vlerësuar organizimin e procesit të edukimit në fëmijërinë e hershme, shfrytëzimin dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve parashkollore.

Subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë, raporton Klankosova.tv.

Rezultatet e auditimit tregojnë se “pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim”.

“MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore. Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore”, u tha në njoftimin e ZKA-së.

Raporti i ZKA-së për auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për periudhën 2022–2024, thotë se autoritetet e ministrisë janë të obliguara të angazhohen në hartimin e dokumenteve ligjore gjashtë muaj pas aprovimit të ligjit.

ZKA thotë se autoritetet duhet të angazhohen në zhvillimin e politikave programore dhe krijimin e mundësive të reja gjithëpërfshirëse në Edukimin në fëmijërinë e hershme (EFH).

Njëra ndër përgjegjësitë e MASHTI-t, sipas ZKA-së, është përcaktimi i infrastrukturës ligjore, primare dhe sekondare për edukimin e hershëm.

“Pas hartimit të ligjit të ri për EFH, MASHTI ka emëruar dy grupe punuese për hartimin e projekt udhëzimeve administrative, njërin në janar dhe tjetrin në dhjetor të vitit 2023. Gjatë vitit 2023, gjithashtu janë mbajtur tri punëtori, ndërsa gjatë vitit 2024 janë mbajtur 11 punëtori tjera. Sipas zyrtarëve, angazhimet e grupit punues, kanë pasur të bëjnë me nxjerrjen e 15 akteve të reja normative, rishikimin e udhëzuesve të vjetër dhe integrimin e tyre në komponentë të reja dhe më të përshtatshme me ligjin e ri. Ne kemi konstatuar se tre udhëzues administrativë janë përgatitur dhe dorëzuar për miratim tek autoritetet e ministrisë”.

“Gjatë periudhës kohore nga miratimi i ligjit në vitin 2023 e deri në fillim të vitit 2025, është evidentuar mungesë e angazhimeve për vënien e këtij ligji në zbatim. Përgjatë kësaj periudhe, pavarësisht se tre udhëzues administrativë janë përgatitur dhe janë në pritje të procedurave përfundimtare në kabinetin qeveritar, asnjëri prej tyre nuk është miratuar deri në momentin e auditimit. Sipas zyrtarëve përgjegjës, arsyeja kryesore për vonesat është ngarkesa e lartë e punës në ministri, e cila ka tejkaluar kapacitetet aktuale të stafit për të trajtuar çështjet që lidhen me këtë segment të arsimit”, thotë raporti i ZKA-së.

Ndërkaq, theksohet se vonesat në hartimin dhe miratimin e udhëzimeve administrative ka bërë që ligji i ri për EFH të mos zbatohet në praktikë.

“Si rezultat, institucionet parashkollore po vazhdojnë të funksionojnë sipas rregullave të vjetra të cilat nuk janë në harmoni me ligjin e miratuar në vitin 2023. Kjo ka krijuar paqartësi për mënyrën e licencimit dhe vlerësimit të këtyre institucioneve. Për më tepër, fakti që kriteret e licencimit nuk janë ndryshuar që nga viti 2016 tregon se pa miratimin e udhëzimeve të reja administrative, po vonohet edhe reforma e paraparë me ligjin e ri për këtë sektor të edukimit”, u tha mes tjerash në raportin e ZKA-së për auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për periudhën 2022–2024.

Në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, ZKA thotë se mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka bërë pesë rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si në vijim:

  • Të përshpejtojë procesin e hartimit të udhëzuesve administrativë si dhe të ndërmarrin aktivitetet e nevojshme për fillimin sa më të shpejtë të zbatimit të reformave të parapara për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.
  • Të forcohen mekanizmat për rritjen e nivelit te mbikëqyrjes dhe raportimit për rastet e identifikuara të IP-ve (institucioneve parashkollore) pa licencë apo parregullsive tjera të shfaqura në të gjitha kategoritë. Në funksion të këtij qëllimi, inspektorati i arsimit të angazhohet në sistematizimin e vendeve të punës dhe shfrytëzimin sa më efikas të kapaciteteve ekzistuese në dispozicion.
  • Të forcohet koordinimi dhe bashkëpunimi mes ministrisë dhe komunave për përfundimin me kohë të  procedurave te themelimit, emërimit  dhe regjistrimit të IP-ve në të gjitha instancat e nevojshme.
  • Të përmirësojë menaxhimin e procesit të licencimit, të përcaktojë periudhat specifike kohore për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave dhe  të sigurojë që të gjitha kërkesat të shqyrtohen në mënyrë objektive për të rritur efikasitetin dhe besueshmërinë e procesit.
  • Të vendosë një sistem për kontroll të rregullt të IP-ve të licencuara, për të verifikuar përputhshmërinë me kriteret ligjore dhe standardet e cilësisë, si dhe të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve. /Klankosova.tv

The post ZKA-ja evidenton mangësi në MASHTI appeared first on Klan Kosova.