Zjarri në një fabrikë në Bangladesh vret të paktën 16 persona

news image

Të paktën 16 njerëz e humbën jetën të martën, kur një zjarr u përhap në një fabrikë të rrobave dhe produkteve kimike në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, thanë zyrtarët e këtij vendi.

Zjarri filloi në depon e fabrikës para se të përhapej në një objekt shumëkatësh të rrobave, tha Tajul Islam Chowdhury, komandant i zjarrfikësve, raporton “France24”.

Të gjithë trupat e viktimave u tërhoqën nga fabrika e rrobave, tha komandanti i zjarrfikësve, duke e konfirmuar numrin e tyre.

Afër fabrikës, të afërmit po i kërkonin në ankth më të dashurit e tyre. Abdur Rahman, 19 vjeç, tha se po e kërkonte vëllanë Robinin.

“E gjeta njërin prej kolegëve të tij, i cili iku duke thyer një dritare. Ai e pa vëllanë tim Robinin brenda. Ai nuk ia doli” – i tha i riu agjencisë së lajmeve AFP.

Disa të tjerë po mbanin në duar fotografi të të afërmve të tyre, duke kërkuar informacione.

Autoritetet ende nuk kanë hyrë në depon e produkteve kimike. Tahmina Sharmin, dëshmitare, tha se dëgjoi një shpërthim të fortë para se zona të mbulohej nga flaka e tymi.

Më shumë se 26 mijë e 500 zjarre u raportuan vitin e kaluar në Bangladesh, ku standardet e sigurisë janë të dobëta dhe shpesh shpërfillen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/