Wednesday, February 25, 2026
spot_img
HomeLajmeZjarrfikësit në mes të dy zjarreve – shuajnë flakët, por mbesin pa...

Zjarrfikësit në mes të dy zjarreve – shuajnë flakët, por mbesin pa shtesa për rrezikshmëri (VIDEO)

Zjarrfikësit e stacionit të Kaçanikut punojnë çdo ditë për t’i shpëtuar qytetarët nga zjarret dhe emergjencat, por sipas tyre, shteti i ka lënë pas dore. Probleme të shumta logjistike dhe financiare po e vështirësojnë punën dhe po rrezikojnë rezultatet e intervenimeve.

Mungesat e pajisjeve fillojnë nga gjërat bazë: shkallë të pamjaftueshme, mungesa e mbushësve për aparatet e frymëmarrjes – të cilët i detyrojnë zjarrfikësit të shkojnë çdo herë në Ferizaj për t’i mbushur; dhe kamionë të vjetër, një prej të cilëve ka edhe 53 vite shërbim, raporton Kiks Kosova.

U.D. i komandantit, Bekim Dema, tregon për rastin kur një kamion pësoi defekt dhe u ndal gjatë një intervenimi, duke penguar punën e ekipit.

Për më shumë se një vit, stacioni vuan mungesën e personelit. Kur disa zjarrfikës u pensionuan, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) nuk shpalli konkurse për zëvendësimin e tyre. Kjo ka bërë që ekipet të punojnë pa pushim dhe të mos mund të ndahen për pushime, thotë Fadil Mulaku për KIKS Kosovën.

Motivimi i punonjësve është dobësuar edhe për shkak se që nga viti 2022 ata nuk po marrin më shtesat e rrezikshmërisë, ndonëse përballen me rrezikun çdo ditë.

Mospagimi i orëve shtesë vitin e kaluar dhe në janar po ndodh për shkak të mos-miratimit të buxhetit komunal, ndërsa një padi e punonjësve pranë gjykatës për mos-shlyerjen e shtesave nuk ka sjellë ende vendim pas afërsisht dy vitesh.

Komuna e Kaçanikut thotë se është e njoftuar për problemet dhe, megjithëse përgjegjësia kryesore për stacionin i takon AME-së, ka ndarë rreth 400 mijë euro nga buxheti komunal për ndërtimin e objektit të ri të zjarrfikësve.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Arian Teneqja, premton që pagat e prapambetura dhe orët shtesë do të rimburësohen sa më shpejt të miratohet buxheti.

Sindikata e Zjarrfikësve, nën drejtimin e Muharrem Bekës, thotë se për dekada radhazi problemet e zjarrfikësve nuk janë trajtuar si prioritet.

Beka thekson se mungesa e një analize të shkallës së rrezikut dhe koordinimit ndërinstitucional po krijon konfuzitet dhe pengesa në pagesa, rekrutim dhe menaxhim emergjencash. Ai alarmon se, për shkak të kushteve të papërshtatshme, raste të vdekjes gjatë punës janë të shpeshta.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT