Më 13 qershor, Shteti i Izraelit nisi një sulm të papritur ndaj dhjetëra objektivave brenda Iranit, përfshirë centralet bërthamore, dhe vrau shumë nga udhëheqësit më të lartë të ushtrisë iraniane.
Këtë operacion, Izraeli e quajti “Luani në Ngritje”, dhe tha se synonte të neutralizonte kërcënimin ekzistencial dhe të afërt nga programet e armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit.
Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, për Klankosova.tv ka dhënë detaje mbi këtë operacion, por edhe për situatën e sigurisë në vend.
Ziv thotë se ky operacion synon konkretisht objektet ushtarake dhe komponentët kritikë të programit të armëve bërthamore të Iranit, si dhe individët kryesorë të përfshirë në programin bërthamor.
Për më tepër, ajo thotë se sulmet janë gjithashtu kundër infrastrukturës së lidhur me programin e raketave balistike të Iranit, i cili përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetin e Izraelit.
“Në vitet e fundit, regjimi radikal iranian i është përkushtuar shkatërrimit të Shtetit të Izraelit, si një direktivë detyruese. Regjimi vazhdimisht dhe publikisht bëri thirrje për shfarosjen e Shtetit të Izraelit. Gjatë viteve, regjimi ka investuar në një forcim masiv ushtarak për të realizuar qëllimin e tij për shkatërrimin e Izraelit”.
“Regjimi ka zhvilluar një program të fshehtë të armëve bërthamore, si dhe një industri të madhe të raketave balistike, duke zhvilluar aftësinë e tyre për të arritur objektiva edhe 4,000 km larg”, deklaroi Ziv në këtë intervistë.
Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), sipas ambasadores Ziv, deklaroi pak ditë më parë se pa dyshim programi bërthamor iranian nuk është menduar për qëllime paqësore.
Po ashtu, ambasadorja e Izraelit thotë se derisa Irani po negocionte me ShBA-në, në muajt e fundit ka prodhuar me shpejtësi uranium të pasuruar në nivel të lartë dhe ka përshpejtuar përpjekjet e tij klandestine për të zhvilluar armë bërthamore.
“Kjo po ndodhte ndërsa Irani po mashtronte sistematikisht bashkësinë ndërkombëtare”.
“Irani është vetëm pak çaste larg një arme bërthamore dhe kjo nuk na la zgjidhje tjetër veçse të eliminojmë kërcënimin para se të jetë tepër vonë”, potencoi Tamar Ziv, diplomatja e akredituar për të përfaqësuar Shtetin e Izraelit në Kosovë.
Tamar Ziv thotë se është e vështirë të parashikohet afati kohor i këtij konflikti.
“Izraeli duhet të vazhdojë të shënjestrojë dhe shkatërrojë shumë komponentë të programit të armëve bërthamore dhe programit të raketave balistike, si dhe depot dhe lansuesit e raketave. Izraeli gjithashtu duhet të vazhdojë të ruajë hapësirën ajrore të hapur. Në gjashtë ditët e fundit kemi arritur shumë”, deklaroi ajo.
Një zgjidhje për këtë konflikt, sipas saj, duhet të sigurojë që programi i armëve bërthamore dhe programi i prodhimit të raketave balistike të Iranit do të shkatërrohen dhe Irani nuk do të jetë në gjendje ta rindërtojë atë.
“Çfarëdo marrëveshjeje që të arrihet, ajo duhet të premtojë këto dy elementë kryesorë”, u shpreh diplomatja Ziv.
Veç me Iranin, Izraeli është në luftë edhe me Gazën. Ambasadorja Ziv beson se “operacioni në Iran do të çojë gjithashtu në rifillimin e luftës në Gaza”.
“Hamasi, i cili është një nga përfaqësuesit e Iranit, po humbet mbrojtësin e tij. Irani nuk do të jetë në gjendje t’i mbështesë ata në mënyrë të konsiderueshme. Shanset për t’i dhënë fund luftës në Gaza do të rriten dhe bashkë me to shpresojmë edhe lirimi i 53 pengjeve që kanë qenë nën tortura brutale të Hamasit për më shumë se 600 ditë”, tha Tamar Ziv, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë.
E pyetur mbi rrezikun potencial të një sulmi të mundshëm iranian ndaj Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, si një prej vendeve të pakta që ka hapur selinë e saj diplomatike në këtë qytet, përfaqësuesja izraelite në Kosovë tha se nuk sheh ndonjë kërcënim.
“Nuk shoh ndonjë kërcënim specifik për Ambasadën e Kosovës në Jerusalem. Ambasada është e mbrojtur së bashku me të gjitha zyrat e Qeverisë Izraelite, Ambasadën Amerikane dhe Ambasadat e tjera sipas të njëjtave standarde dhe mbrojtje”, deklaroi Ambasadorja Ziv.
Për më tepër, diplomatja izraelite tha se ka biseduar me qytetarë të Kosovës që banojnë në Izrael, dhe theksoi se të njëjtit kanë thënë se planifikojnë të mbesin atje.
“Kam folur me një numër qytetarësh kosovarë që banojnë në Izrael dhe të gjithë më thanë se planifikojnë të qëndrojnë në Izrael”, tha Ziv.
Megjithatë, sipas saj, “ata që duan të largohen, Ambasada e Kosovës në Jerusalem po i ndihmon me të gjitha informacionet dhe asistencën e disponueshme”.
Përfaqësuesja e Shtetit të Izraelit në Kosovë tha se pret që sapo të qetësohen gjërat, vendin e saj do ta vizitojnë turistët dhe biznesmenët kosovarë “për të shijuar një qëndrim të qetë në Izrael”. /Klankosova.tv
The post Ziv: Fundi i konfliktit me Iranin – shkatërrimi i programit të armëve bërthamore dhe raketave balistike appeared first on Klan Kosova.