Zgjerohet rrjeti i transportit urban në Prishtinë, Rama: 30 linja të reja dhe mbi 170 autobusë modern

Zgjerohet rrjeti i transportit urban në Prishtinë, Rama: 30 linja të reja dhe mbi 170 autobusë modern

Prishtina ka zgjeruar ndjeshëm rrjetin e transportit publik, duke lidhur për herë të parë disa lagje dhe fshatra me kryeqytetin.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se tashmë autobusi urban do të qarkullojë në lagje si Tasligje, Velania, Bledi, Arbëria, Sofalia, Qëndresa, NIC, Veternik dhe Zllatar, ndërsa rrjeti do të përfshijë edhe fshatrat përreth, përfshirë Marec, Vitia e Marecit, Siqevë, Kolovicë, Zllash, Ballaban, Nishec, Gllogovicë, Llabjan, Slivovë, Shkabaj, Drenoc dhe Prugoc.


Sipas Ramës, rrjeti i ri i transportit urban përbëhet nga 30 linja të reja me gjithsej 172 autobusë modern, ndërsa në linjat kryesore frekuenca e qarkullimit do të jetë çdo 7 minuta.

“Kryeqyteti ka marrë frymë të re në lëvizje”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se ky zgjerim synon të lehtësojë qarkullimin, të përmirësojë qasjen e qytetarëve dhe të rrisë cilësinë e jetës në Prishtinë dhe rrethinë. /Telegrafi/