Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim ku është diskutuar angazhimi për implementimin e “Planit për Zgjedhjet Lokale 2025” dhe “Analizës së punës periodike”.
Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, ka theksuar se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor është primar për Policinë e Kosovës.
Në njoftim thuhet: “Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të rritet performanca në punë si dhe të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së detyrave, misionit dhe vizionit të PK-së.”
Planifikimi operativ i Policisë për zgjedhjet përfshin katër faza: periudha parazgjedhore, fushata parazgjedhore, dita kryesore e votimeve (“dita Z”) dhe periudha pas zgjedhjeve. Janë marrë masa që të angazhohen zyrtarë policorë nga njësite të ndryshme, si dhe janë caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të përfshira.
Po ashtu, është diskutuar iniciimi i veprave penale për çdo shkelje të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e masave ligjore kundër veprimeve që cenojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Policia e Kosovës ka riafirmuar angazhimin e saj për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë ligjore “në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!