Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës është mbajtur takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale 2025”, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë i PK-së, në krye me drejtorin e Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve, si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në, KFOR-in, EULEX-in, OSBE-në dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.
Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore për ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit mes institucioneve kompetente vendore, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe zhvillimit të qetë të zgjedhjeve.
“Ndër të tjera, pjesë e diskutimit ishte krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, Policia e Kosovës thekson se, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.
“Andaj, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected], si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në fund të njoftimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!