Zgjedhjet lokale: Kush u gëzua e kush u zhgënjye nga rezultatet? (VIDEO)

Zgjedhjet lokale: Kush u gëzua e kush u zhgënjye nga rezultatet? (VIDEO)

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025 kanë prodhuar një garë të ngushtë ndërmjet partive kryesore politike në vend.

Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të përballen në një numër të madh komunash në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 9 nëntor.

Në 12 komuna të tjera shkon në balotazh:

Në balotazh: Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Kaçanik, Obiliq, Rahovec, Pejë,  Prishtinë, Prizren, Viti, dhe Vushtrri.

Në 3 prej tyre prin vetevendosje, ndërsa në 9 komunat tjera është e dyta, duke mbetur ende me shpresë për rritje të rezultatit në raundin e dytë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 3 komuna pa balotazh:

Skenderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Ndërkohë, në 6 komuna të tjera do të përballet në balotazh:

Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Prizren, dhe Vushtrri.

Në komunat që është në balotazh PDK prin në 4 prej tyre, ndërsa në 2 të tjera renditet e dyta.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të fitojë 2 komuna në raundin e parë: Istog dhe Lipjan.

Ndërsa në 9 komuna të tjera shkon në balotazh:

Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Dragash, Suharekë, dhe Junik.

Nga këto, LDK prin në 6 komuna dhe është e dyta në 3 të tjera, duke e pozicionuar veten si një nga partitë më të suksesshme në këto zgjedhje deri më tani.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar vetëm 1 komunë në raundin e parë në Deçan, por është e pranishme në 5 balotazhe:

Gjakovë, Rahovec, Klinë,  Suharekë, dhe Junik.

Nga këto ne 4 prej tyre prinë duke dëshmuar ndikim të vazhdueshëm në nivel lokal, veçanërisht në komunat ku tradicionalisht ka pasur mbështetje, kurse në 1 prej tyre renditet e dyta.

Nisma Socialdemokrate ka arritur të ruajë kontrollin në komunën e Malishevës, ku ka fituar pa balotazh, ndërsa në komunat tjera nuk ka pasur rezultate të dukshme.

Ramiz Lladrovci ka fituar pa balotazh në Drenas, duke konfirmuar ndikimin e tij të vazhdueshëm në këtë komunë. Lista Serbe ka fituar 9 komuna, kryesisht në veri të Kosovës, dhe në një komunë tjetër në atë të Kllokotit do të marrë pjesë në balotazh.

Balotazhi i 9 nëntorit pritet të jetë tejet i rëndësishëm, pasi mund të ndryshojë ndjeshëm hartën politike lokale.

Gara më e ngushtë është në Mitrovicë, ku rezultati preliminar ka treguar një diferencë prej vetëm 28 votash mes dy kandidatëve kryesorë.

Po ashtu garë e ngushtë është edhe në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Rezultatet përfundimtare do të konfirmohen pas përfshirjes së votave nga diaspora të cilat në disa raste mund të ndikojnë në rezultatet aktuale preliminare.

 

 

 

The post Zgjedhjet lokale: Kush u gëzua e kush u zhgënjye nga rezultatet? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.