Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në këto qendra do të funksionojnë gjithsej 54 vendvotime, të dedikuara për votuesit që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.
Votimi me kusht në zgjedhjet lokale është i lejuar vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi, dhe realizohet në qendrën e veçantë për votim me kusht të caktuar nga KQZ.
E drejta për të votuar me kusht u mundësohet vetëm votuesve që janë të regjistruar në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin që u takon sipas adresës.
Ndërkohë, numërimi i votave me kusht do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore./Telegrafi/