Zgjedhjet lokale, KQZ: Deri tani janë procesuar 3,357 nga gjithsej 5,142 kuti votimi

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë përditësimin e fundit mbi aktivitetet që po zhvillohen në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), lidhur me zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe kuvendet komunale.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, deri në orën 16:00 të ditës së enjte janë verifikuar rezultatet për 1,689 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë të komunave, si dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale në 1,668 vendvotime.

Po nga këto 1,668 vendvotime, janë numëruar edhe votat e kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale, bën të ditur KQZ.

Në total, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë të dy proceseve zgjedhore, janë procesuar 3,357 kuti, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, sipas Komisionit.

Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur plotësisht në 17 komuna, duke përfshirë:

Të hënën: Hani i Elezit

Të martën: Junik, Mamushë, Zveçan

Të mërkurën: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj

Të enjten: Viti, Rahovec, Suharekë dhe Dragash

Në njoftim thuhet gjithashtu:

“Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete kryesore: Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave; Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale; Numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/