Klan Kosova është vendosur edhe në Mitrovicë të Veriut për të raportuar për zgjedhjet lokale që mbahen nesër më 12 tetor.
“Nesër, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në të gjithë nivelin republikan – pra në 38 komunat e Republikës së Kosovës – do të jetë e shtuar prania e Policisë së Kosovës, po ashtu edhe e EULEX-it, dhe aty-këtu edhe e ndonjë trupe shtesë të KFOR-it, sidomos në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka raportuar gazetari Besnik Tahiri në Specialen e Klan Kosovës.
“Kjo për faktin se nesër, nëpër pikat kufitare siç është ajo në Jarinjë, pritet të vijnë disa autobusë të mbushur me serbë që pretendojnë se jetojnë me statusin e refugjatit në territorin e Serbisë”.
“Ndërkohë, në komunat e Kosovës, qytetarët do të vijnë për të votuar për kandidatët dhe kandidatet e tyre të preferuar për kryetar apo kryetare komune”.
Tahiri dha një prapavijë të situatave që kanë ngjarë ndër vite në këtë zonë, ku dallon mbi të gjitha sulmi terrorist i Banjskës.
“Në këtë pjesë administrative të Mitrovicës së Veriut, nga ku po raportoj unë, është një numër rekord i personave që garojnë për të marrë postin e kryetarit apo kryetares. Janë shtatë kandidatë serbë dhe gjithashtu dy shqiptarë,” – thuhet në raportim”.
“Sa i përket çështjeve të sigurisë – të cilave po u rikthehemi si një ndër temat më kryesore – Mitrovica, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë kaluar një nga periudhat më kritike jo vetëm për veriun, por për të gjithë Kosovën, sidomos gjatë vitit 2023”.
“Në këtë vit, kemi pasur trazirat në Zveçan, vetëm 2-3 kilometra larg nga këtu ku po raportojmë, si dhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku”.
The post Zgjedhjet lokale, Klani raporton edhe nga Mitrovica e Veriut (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.