Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka një rol kyç gjatë fushatave zgjedhore, tha kryetari i këtij institucioni, Besnik Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com
Ai theksoi se pa media të pavarura dhe të paanshme, edhe vetë integriteti i procesit zgjedhor mund të vihet në dyshim.
“Demokracia nuk mund të mendohet pa zgjedhje të lira dhe me integritet. Në këtë kuadër roli i mediave është i veçantë. Mund të themi se edhe procesi ose integriteti i vetë zgjedhjeve mund të kontestohet nëse nuk kemi integritet të mediave”, u shpreh Berisha në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai shpjegoi se mediat e licencuara që zgjedhin të mbulojnë fushatën kanë detyrime të qarta ligjore.
“Mediat janë të obliguara që të ofrojnë kohë të barabarta për subjektet politike, pa pagesë. Ato duhet të dërgojnë ditarë javore në KPM për mënyrën si kanë ndarë hapësirën pa pagesë dhe me pagesë. Po ashtu, çmimet për reklamat zgjedhore duhet të jenë transparente dhe nuk mund të jenë më të larta se ato të gjashtëmujorit të fundit”, tha ai.
– YouTube www.youtube.com
Berisha kujtoi se një rregullore e miratuar vitin e kaluar saktëson edhe më shumë detyrimet e mediave për mbulimin e fushatave.
“Nuk është qëllimi ynë të gjobisim mediat, por të krijojmë një mjedis të përgjegjshëm medial. Ne e kuptojmë rolin e tyre të jashtëzakonshëm dhe potencialin e madh që kanë për të ndikuar – për të mirë ose për të keq. Qëllimi është për të mirë”, tha ai.
Kryetari i KPM-së u ndal edhe tek tema e sondazheve online në media të ndryshme të cilat shpesh publikohen në media e pa kritere të besueshmërisë.
“Sondazhet online janë të ndaluara. Ligji kërkon që sondazhet të kenë metodologji të qartë, të tregojnë kush i ka porositur dhe të publikohen vetëm deri 24 orë para mbylljes së votimit. Ndryshe, ato kthehen në instrument dezinformimi”, paralajmëroi ai.
Një pjesë e rëndësishme e debatit lidhej edhe me dezinformimin dhe ndikimin e tij në zgjedhje. Berisha tha se KPM është në mobilizim të shtuar gjatë fushatave, duke përfshirë monitorim shtesë edhe gjatë fundjavave.
Besnik Berisha në “Përballje Podcast” me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu, foto Ridvan Slivova.
Sipas tij, “lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të dëmshme për shoqërinë, demokracinë dhe deri në rrezikimin e sigurisë së vendit”.
Ai përmendi bashkëpunimin me organizata si Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe faktin se shumë probleme lindin nga mediat online që nuk janë nën juridiksionin e KPM-së.
Berisha theksoi se rregullimi i mediave duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Unë mendoj se mediat duhet të rregullohen sipas parimit të neutralitetit teknologjik. Nuk ka logjikë që një kategori mediash të jetë nën rregullim, ndërsa një tjetër jo, kur ato konkurrojnë në të njëjtin treg informativ. Qëllimi nuk është censura, por ngritja e barrierave ndaj dezinformatave dhe krijimi i një mjedisi mediatik me standarde të larta etike”, u shpreh ai.
Ky episod i “Përballje Podcast”, pjesë e një cikli të dedikuar për integritetin zgjedhor dhe luftën kundër dezinformimit, u realizua me synimin për t’u ofruar qytetarëve një pasqyrë të qartë mbi rolin e mediave dhe institucionit rregullator gjatë procesit zgjedhor, në një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe me zgjidhje./Telegrafi/.