Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, ka deklaruar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress thekson se paraprakisht duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e pranon që nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë së re, edhe në rast se rifillojnë negociatat me Nismën Socialdemokrate.
“Edhe nëse ne i rikthejmë ose ka ndonjë shans të ri, hipotetikisht, në negociata me Nismën, prapë nuk janë 61 vota. Do të thotë, prapë ne do të kemi në njëfarë forme ndjeshmëri të lartë karshi funksionimit të mirëfilltë, për shkak se me gjashtëdhjetë e një, pastaj secili deputet do të bëhet, ose deputete do të jetë, të themi, çelësi i suksesit ose dështimit të secilës seancë…
Eventualisht mund të ketë marrëveshje politike për të kaluar disa projektligje ose, të them, projektbuxhetin në këtë rast që të mos ballafaqohemi me situatë të krizës së shtetit që mund të përcillet në vitin 2026, apo edhe ndonjë projektligj apo marrëveshje ndërkombëtare e cila lidhet me fondet e Bashkimit Evropian.
Që i bie që mund të ketë një qeveri, po e them prapë hipotetikisht, po e flas pa ndonjë argumentim real të shanseve tashmë të formohet, por nëse vendoset interesi i shtetit përpara, mund të jetë një marrëveshje e përgjithshme… Jo në frymën si i ka prezantuar LDK-ja, por të ketë një grupim parlamentar, se nuk ka nevojë të gjitha partitë të jenë bashkë. Nuk po flas me atë idenë e qeverisë së tranzicionit, gjithsesi është qeveria në detyrë tash. Ne po flasim për dakordim politik me agjendë specifike legjislative, jo ekzekutive”, shton Kusari-Lila.
Ajo thotë se në situatën aktuale politike s’ka zgjidhje tjetër më të favorshme përveç mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në nivel nacional. Sipas saj, kjo formë do të ofronte një qartësi më të madhe në mundësinë e koalicioneve të reja.
Kusari-Lila ka folur edhe për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e serbëve.
Sipas Kusari-Lilës, Kushtetuta nuk e cek që vetëm një subjekt, ose subjekti më i madh nga komuniteti serb, e ka të drejtën e nominimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit.
Andaj, ajo shpreson se në aktgjykimin e plotë do të konstatohet se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, por pa specifikuar grupimin politik dhe të drejtën ekskluzive të tyre për të propozuar.
Megjithatë, deputetja nga Grupi Parlamentar i LVV-së, thotë se nuk do ta votojë për nënkryetar të Kuvendit asnjë prej deputetëve të Listës Serbe.